"Popullata e kësaj ane nuk mund të shpresojë në perspektivë ekonomike nëse koncentrohet te bujqësia si angazhim profesional. Por, gjithsesi bujqësia nuk duhet lënë anash"
Për kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Esat Sallai, decentralizimi i pushtetit nuk duhet të kuptohet vetëm si një akt, por si një proces, i cili duhet të vazhdojë një periudhë më të gjatë, duke u ndryshuar dhe zgjeruar. "Në vendet evropiane procesi i decentralizmit ka zgjatur me dekada për të mbërritur në nivelin që është sot. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se komunat rurale në Maqedoni janë komuna të reja, ndërsa komuna e Vrapçishtit në këto kufij ekziston vetëm tre vjet, prandaj edhe ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme", thotë Esat Sallai. Në Komunën e Vrapçishtit problem paraqet papunësia dhe zhvillimi i dobët ekonomik lokal.
Pjesa nga tatimi i vlerës së shtuar dhe tatimi në pronë dhe mbështetja e dobët nga pushteti qendror, nuk sigurojnë prurje të mjaftueshme në buxhetin e komunës, që ajo më pas të mund të ndikojë në zhvillimin e ekonomik të kësaj zone. Kryesisht vendbanimet e Vrapçishtit janë fshatra fushore që disponojnë me një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës pjellore. Por, sipas kryetarit Sallai, nëse ajo sipërfaqe ndahet në 30 mijë banorë, sa ka përafërsisht Komuna e Vrapçishtit, del se çdo banori i takon rreth gjysmë dekar tokë.
"Popullata e kësaj ane nuk mund të shpresojë në perspektivë ekonomike nëse koncentrohet te bujqësia si angazhim profesional. Por, gjithsesi bujqësia nuk duhet lënë anash", thekson Sallai, i cili shpreh keqardhje se shumë individë që posedojnë tokë pjellore, nuk e punojnë atë. Komuna e Vrapçishtit, aq sa i ka mundësitë dhe kompetencat, angazhohet që të ndihmojë zhvillimin e industrisë dhe ekonomisë në këtë zonë. "Me qëllim të zhvillimit ekonomik, ne si komunë kemi caktuar zonën industriale, ku presim që të tërheqim edhe investime nga rajonet e tjera, por edhe nga jashtë. Me zhvillimin ekonomik lokal, respektivisht me forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, do të zbutej papunësia", vlerëson Sallai, duke shprehur brengosjen e tij se popullata, posaçërisht brezi i ri, perspektivën më shumë e sheh në botën e jashtme sesa në vendlindje.
"Ky është një proces që kritikohet vazhdimisht nga çdokush, por është një trend që jo vetëm nuk bie, por ndoshta është në rritje", thotë Kryetari Komunës së Vrapçishtit. Një mundësi tjetër për zhvillim, sipas tij, është edhe zhvillimi i turizmit rural. "Komuna e Vrapçishtit gjendet në rrëzë të malit Sharr, i cili ka vende shumë piktoreske. Ka disa fshatra malore, të cilat mund të jenë shumë tërheqëse për ata që preferojnë turizmin malor", potencoi në fund të bisedës Esat Sallai.